Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së dhe njëherit shefi shtabit Faton Ahmeti, ka kujtuar sot 23-vjetorin e pjesëmarrjes së parë të Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, të cilat shënuan një kthesë historike për shqiptarët në Maqedoni.
Më 15 shtator 2002, BDI e udhëhequr nga lideri Ali Ahmeti, mori pjesë për herë të parë në zgjedhje pas luftës së vitit 2001, duke fituar mbështetje plebishitare nga populli shqiptar dhe duke u shndërruar në forcën kryesore politike. Me këtë fitore, BDI u bë pjesë e qeverisë, duke hapur rrugën për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Kjo mbështetje e gjerë ishte shenjë e besimit të shqiptarëve tek një subjekt politik që lindi si fryt i rezistencës dhe sakrificës,” u shpreh Ahmeti.
Ai kujtoi se hyrja e BDI-së në qeveri shënoi fillimin e një epoke të re: barazia politike, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, integrimi në institucionet shtetërore dhe hapja e perspektivave të reja për të drejtat kolektive dhe individuale të shqiptarëve.
“15 shtatori i vitit 2002 mbetet një datë e skalitur në kujtesën politike të shqiptarëve, si fillimi i përfaqësimit dinjitoz dhe të fuqizimit politik,” përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së.