Në BE po shqyrtohet ideja që votimi me unanimitet të kufizohet vetëm për çështjet kryesore, ndërsa për hapat teknik gjatë negociatave të vendoset me shumicë e kualifikuar, një ndryshim që synon të shmangë bllokadat dhe vetot e njëanshme, si ato që kanë penguar zgjerimin për vite me radhë. Kjo nismë, e mbështetur nga 16 vende anëtare, shihet si një mënyrë për t’i dhënë ritëm të ri procesit të integrimit evropian. Por a do të përfitojë Maqedonia e Veriut nga kjo? Vështirë. Edhe pse mund të lehtësoheshin disa procedura teknike, përfundimi mbetet i njëjtë: pa konsensusin me Bullgarinë dhe pa zgjidhjen e çështjeve të hapura, rruga drejt BE-së për Shkupin do të vazhdojë të mbetet peng i politikës dhe çështjeve të së kaluarës, shkruan Portalb.mk.
Në Bruksel po shtohet gjithnjë e më shumë debati për reformimin e mënyrës se si Bashkimi Evropian merr vendime lidhur me zgjerimin. Ideja që disa vendime gjatë negociatave me vendet kandidate të merren me shumicë të kualifikuar, dhe jo më me unanimitet, po shihet si përpjekje për t’i dhënë fund bllokadave politike që kanë frenuar procesin e integrimit. Kjo nismë, e mbështetur nga vende si Austria, Gjermania, Italia dhe Sllovenia, do të mundësonte që çështjet teknike të ecin përpara pa pasur nevojë për pëlqimin e secilit shtet anëtar.
Në këtë rrafsh, Maqedonia e Veriut shihet si një nga vendet që do të mund të përfitonte më shumë, duke pasur parasysh se përparimi i saj drejt BE-së është penguar për vite nga vetoja bullgare. Megjithatë, edhe nëse ky model vendimmarrjeje do të miratohej, procesi nuk do të ishte pa pengesa, sepse për hapjen dhe mbylljen e negociatave sërish kërkohet konsensus i plotë. Me fjalë të tjera, vetoja bullgare nuk do të zhdukej, por do të kufizohej ndikimi i saj në fazat e ndërmjetme.
Në Shkup, pritjet janë të kujdesshme. Deri më tani, ndryshimet kushtetuese që duhet të përfshijnë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës mbeten kushti i vetëm për hapjen e klasterëve negociues, një çështje që ende nuk ka mbështetje nga partia në pushtet që ka edhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.
Megjithatë, pas zgjedhjeve lokale të tetorit, pritet që integrimi evropian të rikthehet në qendër të agjendës politike. Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup pritet të japë sinjale të reja për rrugën që do të ndjekë vendi. Pyetja mbetet nëse Brukseli ndryshon rregullat, a do të jetë kjo mjaftueshëm për të çliruar Maqedoninë e Veriut nga cikli i premtimeve dhe pengesave të përsëritura? Vështirë se mund të thuhet PO!
Vendet anëtare humbin durimin, kërkojnë ndryshim të rregullave për zgjerimin e BE-së
Iniciativa për të ndryshuar procesin e vendimmarrjes për këtë çështje vjen nga Austria dhe Sllovenia, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, dhe deri më tani ka mbështetjen e 16 shteteve anëtare të BE-së.
Lëvizja u diskutua më 6 tetor edhe në Shkup nga ministrja federale austriake për Evropën, integrimin dhe familjen, Claudia Plakolm, dhe sekretarja e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë, Neva Grashiq, të cilat vizituan vendin.
Plakolm dhe Grashiq, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin për Çështjet Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, shpjeguan se qëllimi i iniciativës është të përshpejtojë procesin e pranimit të kandidatëve, duke shmangur futjen e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme politike në proces.
Kjo, siç thanë ata, është me qëllim përshpejtimin e pranimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë vendin, si dhe Ukrainën dhe Moldavinë.
Duke folur në këtë drejtim, ministrja federale austriake tha se Bashkimit Evropian i mungon një pjesë e madhe që ndodhet në qendër të Evropës dhe për këtë arsye Unioni, siç tha ajo, duhet të bëjë një përpjekje për të mbyllur këtë boshllëk duke lidhur “atë që i përket njëra-tjetrës” dhe në këtë mënyrë duke rritur sigurinë e tij.