Kasami dje tha sot, sot thotë nesër: ‘Boris Kidriç’ ende pa asfalt

Asfaltimi i pjesës së mbetur të rrugës ‘Boris Kidriç’ nuk filloi sot ashtu siç tha dje kryetari i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.

I pyetur se pse nuk filluan punimet sot, ai tha se punimet do të fillojnë përfundimisht nesër.

“Sot them nesër, operatori tregoi se ka pasur disa pengesa dhe unë besoj se përfundimisht nesër do të nisin punimet”, tha Kasami.

Paraprakisht qytetarët dhe mërgimtarët u ankuan se kjo bllokimi i kësaj rruge shton kaosin në trafik në pikun e sezonit veror.

LEXO: Kaos në pikun e verës në ‘Boris Kidriç’: Njëra pjesë ende pa asfalt, Kasami thotë se asfaltimi pritet të fillojë sot
Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024.

Në nëntor të vitit 2024 nga Komuna e Tetovës patën thënë se ndërsa afati i realizimit do të jetë katër muaj që nga futja në punë e kompanisë që do t’i realizoj punimet, që i bie se deri në fund të muajit shkurt 2025, rruga do duhej të kishte përfunduar. Por që nuk u bë.

Rikonstruimi i rrugës për momentin nuk është planifikuar të bëhet në pjesën e cila kalon nga Qendra Sportive, ku rruga është e dëmtuar dhe me gropa.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk paralajmëroi se do të nisë edhe punimi i projektit për këtë pjesë.

Për ndërtimin e rrugës “Boris Kidriç” është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj.

Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.

Leave a Reply