RASTET QË PËRFUNDOJNË ME “SË SHPEJTI…” Sulmi brutal ndaj nxënësve në Tetovë dhe tensionet ndëretnike

Rrahja brutale e dy nxënësve të shkollës së mesme ekonomike “8 Shtatori”, në Tetovë, njëri 15 vjeçar dhe tjetri 17 vjeçar, nuk është rasti i vetëm ku shqiptarët po sulmohen, shahen apo ofendohen. Vetëm disa ditë më parë, në Manastir u sulmua një shqiptar me shtetësi suedeze, vetëm pse kishte veshur një bluzë me simbolin shqiptarë, ndërsa opinioni i ka të freskëta edhe thirrjet në kor në Kumanovë “ Shqiptarë i mirë, shqiptarë i vdekur”. Deri tani, të gjitha këto raste kanë përfunduar me shprehjen “së shpejti do të pastrohen…”

Ersan PAJAZITI & Urim HASIPI

Tetovë, 4 shtator – Sulmet e njëpasnjëshme të tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve po shpeshtohen. Viktimat e fundit të kësaj dhune janë dy nxënës shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike në Tetovë, të cilët u sulmuan nga më shumë se 20 persona të dyshuar si anëtarë të tifo-grupit “Vojvodi”. Sipas dëshmisë së viktimave, sulmuesit fillimisht i kanë ofenduar rëndë me fjalor denigrues me përmbajtje etnike, përpara se t’i godisnin në mënyrë të organizuar dhe të pandërprerë me grushte dhe shqelma. Për shkak të dhunës së ushtruar, të miturit kanë humbur vetëdijen për disa momente dhe nuk mbajnë mend tërësisht rrjedhën e ngjarjes.

NGJARJA

Dy nxënës të shkollës së mesme ekonomike “8 Shtatori”, në Tetovë, njëri 15 vjeçar dhe tjetri 17 vjeçar janë rrahur të mërkurën mbrëma brutalisht nga pjesëtarë të tifo-grupi “Vojvodët”. Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur kur dy fëmijët shqiptarë po ktheheshin në shkollë nga pushimi dhe janë sulmuar nga një turmë me mbi 20 persona duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore. Dukshëm i frikësuar dhe me shenja të dhunës, njëri prej fëmijëve të rrahur thotë se sulmuesit ishin maqedonas dhe se kishin filluar të shajnë dhe fyejnë në maqedonisht.

“Filluan të na shajnë në gjuhën maqedonase. Nuk ishin të moshës tonë, kanë pasur edhe boks prej hekuri. Nuk jemi rahat për të shkuar në shkollë, sepse jemi të frikësuar me atë që ka ndodhur mbrëmë. Kam parë grupe të tyre edhe herave tjera”, thotë njëri prej fëmijëve të rrahur. Habil Ismaili, prind njërit nga djemtë që u rrah keq nga “Vojvodët”, thotë se fëmijët ishin sulmuar rreth orës 18, ndërsa sulmuesit kanë qenë të moshës mbi 20-vjeç.

“Janë sulmuar nga 20 e më shumë persona . Kemi qenë në polici, janë marrë informacione, fëmijët kanë lëndime. Fëmija im ka lëndime në fytyrë, në hundë, në anën e majtë të kraharorit, brinjët i ka të dëmtuar, po ashtu edhe nga shpina ka dëmtime, është edhe i gërvishtur. Nuk është i rrahur vetëm me shqelma dhe grushte, por edhe me diçka tjetër. Kanë përdorur sende të forta sepse ka nishane edhe në ballë”, u shpreh prindi Habil Ismaili.

Prindërit shprehen se nuk duhet të zvarritet zbardhja e ngjarjes, sepse rrahjet mund të përsëriten. “Kjo është shumë shqetësuese për mua si prind, e sidomos për një fëmijë që sapo ka filluar të shkojë në shkollë të mesme. Organet e rendit ta zbardhin sa më parë këtë rast, që mos vjen puna që ta zbardhin prindërit që edhe ne të shkojmë të rrahim fëmijë te shkolla. Patjetër dikush të japë përgjegjësi për këtë që u ka ndodhur fëmijëve tanë dhe autorët të dalin para drejtësisë, sepse bëhet fjalë për një rast që ka ndodhur në Tetovë”, thotë Habil Ismaili.

Në ndërkohë, mjekët thonë se fëmijët e lënduar kanë pasur edhe thyerje në pjesët e përparme të trupit. “Njëri kishte frakturë të eshtrave të hundës pa dislokim me raport të rentgenologut me çka u vërtetua lëndimi që ka, kurse tjetri kishte plasaritje të eshtrave të hundës. Është bërë imobilizimi i eshtrave të hundës u dha trajtim mjekësor dhe janë liruar për trajtim të mëtutjeshëm shtëpiak”, tha Valdrin Asani, mjek i ORL-së. Për rastin në fjalë nga policia e Tetovës njoftuan se kanë shoqëruar në polici disa persona, por të dhëna më të detajuara do të jepen kur do të kompletohet rasti.

MEXHITI PËRSËRIT SHPREHJEN “SË SHPEJTI”

Në ndërkohë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti i pyetur sot për rastin, tha se janë marrë masa dhe se pritet dënimi i personave të dhunshëm, ndërsa shprehu habi se këto raste po ndodhin çdoherë në prag të cikleve zgjedhore. “Veç janë marrë masa dhe isha në kontakt të vazhdueshëm edhe me organet e rendit, janë privuar nga liria, i dënoj këto raste. Është pak e çuditshme që çdoherë në kohë të fushatës, gjatë cikleve zgjedhore ndodhin këso raste. Do të bëjë apel, pra të gjithë të jenë në nivel të përgjegjësisë, i dënojmë si akte dhe do të kenë përgjigje të rreptë nga shteti çfarëdo raste të këtilla që cenojnë lirinë e qytetarëve”, theksoi Mexhiti.

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm ku shqiptarët po sulmohen, shahen apo ofendohen. Vetëm disa ditë më parë, në Manastir u sulmua një shqiptar me shtetësi suedeze, vetëm pse kishte veshur një bluzë me simbolin shqiptarë, ndërsa opinioni i ka të freskëta edhe thirrjet në kor në Kumanovë “Shqiptarë i mirë, shqiptarë i vdekur”. I pyetur se përse nuk janë marrë masa ende për brohoritjen ksenofobe të tifozëve maqedonas në Kumanovë, Mexhiti me përgjigje: “Ka pasur bastisje, janë marrë në bisedë informative, po punohet me rastin”.

Përndryshe, ngjarja në Tetovë ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik nga parti politike dhe subjekte tjera. BDI ka dënuar dhunën e paprecedent, ndërsa kanë kërkuar nga organet përgjegjëse, të veprojnë urgjentisht për zbardhjen e plotë të rastit. “Ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend. Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike. U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve të mundshme dhe të rrezikshëm që synojnë destabilizim dhe tension ndëretnik. Njëkohësisht e themi qartë: heshtja institucionale dhe mosndëshkimi i autorëve vetëm sa i thellojnë dyshimet për këto skenarë, dëshmojnë padrejtësinë dhe u japin krah dhunuesve. Kjo është hera e dytë brenda kësaj jave që të rinjtë shqiptarë sulmohen, më parë në Manastir dhe tani në Tetovë”, theksojnë nga BDI.

Edhe ASH reagoi duke thënë se dhuna ndaj fëmijëve është vijë e kuqe dhe përgjegjësia bie mbi institucionet që duhet të garantojnë rend dhe siguri”. “Kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike që të identifikohen dhe të arrestohen menjëherë të gjithë autorët e këtij akti kriminal, të cilët jo vetëm që kanë rrezikuar jetën e dy të rinjve, por kanë goditur edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve. Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se heshtja dhe mosveprimi i shtetit përballë rasteve të tilla vetëm sa i inkurajojnë grupet huligane që të përsërisin sulme të ngjashme”, theksojnë nga ASH. (koha.mk)

Leave a Reply