Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Arben Taravarit sot do të mbajë Kryesinë Qendrore në të cilën partia do të vendosë se si do të vazhdojë të veprojë. Kështu ka bërë të ditur dje ministri i Shëndetësisë, duke shtuar se në takim pritet që Aleanca të mbajë qëndrim se si do të vazhdojë – a do të vazhdojë me koalicionin VLEN apo do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme lokale, transmeton Portalb.mk.
“Kemi dy opsione – njëra të vazhdojmë me VLEN-in dhe e dyta të shkojmë vetëm. Zgjedhja është mes këtyre dy opsioneve, nuk ka alternativë të tretë. Kemi disa komuna ku besojmë se do të arrijmë një rezultat të mirë vetë – Gostivar, Vrapçisht, Dibër, Bogovinë, Tearcë, Saraj… Nuk mendojmë se do të fitojmë, por se mund të arrijmë një rezultat të mirë. Megjithatë le të shohim, në fund vendosin qytetarët”, tha Taravari duke u përgjigjur në pyetjet gazetareske.
Ai tha se nuk është e vërtetë se po negociojnë me BDI-në.
Taravari zbuloi se përveç të premtes, gjatë fundjavës janë takuar disa herë me partnerët e koalicionit nga VLEN.
I pyetur për të komentuar deklaratën e kreut të Besës, Bilal Kasami, i cili tha se kush ndahet nga grupi do ta hajë ujku, Taravari tha:
“Nuk do të doja të komentoja për Bilal Kasamin, ky është qëndrimi i tij. Mendoj se ai nxiton kur bën deklarata, por kjo është punë e tij”.