Një pjesë e sheshit të Tetovës është shndërruar në parking. Kjo ka shkaktuar revoltë te qytetarët, ndërsa autoritetet komunale paralajmërojnë se do të merren masa, shkruan Portalb.mk.
Në sheshin e qytetit, konkretisht te pjesa pas ‘Burger King’ në baza ditore mund të shihen disa vetura të cilat parkohen aty, të cilat futen nga rruga e mësipërme e butiqeve.
Disa qytetarë me të cilët biseduam thonë se kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë dhe se sheshi nuk guxon të shndërrohet në parking.
“I kam parë shumë herë, sidomos periudhën e fundit, nuk është në rregull, mjaft kemi hapsira tjera të bllokuara me vetura, tani na dolën edhe në shesh”, tha një qytetar.
“Është bërë një farë kaosi edhe në qendër kohën e fundit, sidomos me këto veturat, mendoj se duhet të largohen urgjentisht”, tha një qytetar.
“Aspak pamje e bukur për qytetin, sidomos tani verës kur vijmë ne, plus që kjo rruga është mjaft e frekuentuar tani andej nga butiqet”, tha një mërgimtare.
I pyetur për këtë nga Portalb.mk, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se rasti është denoncuar si problem në komunë dhe se do të merren masa.
“Aty komuna ka plan të vendosë hidraulikë, për shkak se nuk mund ta bllokojmë në mënyrë afatgjate qasjen deri te sheshi. Janë paraparë që të instalohen në tre pika të sheshit hidraulikë që të mund të futen në bazë zë nevojës zjarrfikësit, apo shërbimet tjera sociale. Për shkak të situatës së paraqitur, do të marrim masa urgjente që të bllokohet së paku qasja e deritanishme derisa të instalohen hidraulikët”, tha Kasami.
Ndryshe, ky rast nuk është paraqitur aspak si uzurpim në Policinë e Tetovës.