Nga viti në vit rritet numri i foshnjave në Tetovë

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjithsej në jetë kanë ardhur 510 foshnja, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që është për 35 lindje më shumë ose 10 për qind më shumë

Urim HASIPI

Tetovë, 22 gusht – Nga vit në vit, lindjet e foshnjave shënojnë rrije në Tetovë. Këtë e konfirmojnë nga Spitali Klinik në Tetovë, respektivisht nga Reparti i gjinekologjisë. Merale Rexhepi, kryeshefe e Repartit të gjinekologjisë dhe obstetrikës në Spitalin Klinik të Tetovës, thotë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti gjithsej në jetë kanë ardhur 510 foshnja, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që është për 35 lindje më shumë ose 10 për qind më shumë. Nga ky repart thonë se kohëve të fundit dukshëm janë përmirësuar kushtet në këtë repart dhe duke pasur parasysh edhe stafin mjekësor, kjo ka bërë që të rritet besueshmëria që nënat mos të drejtohen në spitale tjera por të lindin në Tetovë.

“Bëhet çdo mënyrë e lindjes në repartin tonë, ndërsa mbisdunojnë lindjet spontane, pasi që edhe si staf mundohemi që të kemi sa më shumë lindje spontane, por edhe janë më të referuara nga nënat, pasi që kanë më pak komplikime, është më natyrale, pacientët më pak qëndrojnë në spital dhe konsolidimi është më i shpejtë. Tre viteve të fundit jemi në rritje për sa i përket lindjeve, kjo më shumë ka të bëjë edhe me përmirësimin e kushteve në repartin tonë dhe stafin e angazhuar dhe profesional. Përveç kësaj, kemi angazhuar edhe psikologe, e cila vazhdimisht punon me shtatzënat dhe lehonat. Krahas kësaj, kemi edhe apartamente, ku nënat që lindin mund të qëndrojnë bashkë me familjarët e tyre, kemi pasur 1 dhe tash kemi 5 të këtilla”, thotë Merale Rexhepi, kryeshefe e Repartit të gjinekologjisë dhe obstetrikës në Spitalin Klinik të Tetovës.

Ndërkaq, krahas kushteve, në këtë repart ka edhe staf të mjaftueshëm që ju përgjigjet nevojave dhe rrethanave të reja.

“Ne funksionojmë me repartin e neonatologjisë, funksionojnë për momentin 5 neonatolog, jemi 15 gjinekolog. Nuk na mungojnë as motrat medicinale, motrat pediatrike funksionojnë ndaras, motrat akusherike dhe motrat e përgjithshme dhe të gjitha në kuadër të repartit tonë. Kemi një staf të mirë dhe të përgatitur dhe kjo jep rezultate”, deklaroi kryeshefja, Rexhepi.

Rënie të numrit të lindjeve në Tetovë, ndjeshëm ka pasur në kohën e pandemisë Covid 19, pasi që shumë nëna lindjet i kanë bërë në Shkup, në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. “Rënia ka qenë shumë e ndjeshme, sidomos në lidhje me virusin korona dhe rënien më të madhe e kemi pasur në vitin 2021, sepse nënat që ishin shtatzëna lindjet i kryenin në spitalet e Shkupit, sepse qendra për gratë shtatzëna që ishin të infektuara me Covid ishte në Shkup dhe ishim të detyruar pacientet tona t`i drejtojmë në Shkup. Prej 2022, kemi rritje të ndjeshme të lindjeve, por edhe kërkesat për të lindur këtu janë shtuar dukshëm”, thotë ajo.

Ndërkaq, rënia e natalitetit sipas mjekëve, është për shkak të emigirmit, pasi që nëse në të kaluarën ishin burrat ato që shkonin në vendet e zhvilluara, tash shkojnë si çift dhe lindjet i bëjnë në ato vende ku jetojnë. (koha.mk)

Leave a Reply