Donatorë të Lëvizjes Besa dhe të afërm të Kasamit kanë marrë para nga Komuna e Tetovës

Donatorë të partisë Lëvizja Besa dhe të afërmit e kryetarit të kësaj partie, Bilall Kasamit kanë marrë para nga Komuna e Tetovës, me të cilën udhëheqë Kasami. Fokus ka nxjerrë disa emra, ndërsa në analizën e tyre përmendin edhe hulumtimin e Portalb.mk për punësimet e përkohshme përmes agjencionit privat.

Një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe 30 ditë para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet lokale më 19 tetor, në Tetovë u mbajt hapje solemne e shtabit zgjedhor të Koalicionit VLEN.

Me qindra qytetarë i mbushën mjediset e Shkollës Fillore “Liria”, ku kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami u promovua si kandidat i vjetër-i ri i Koalicionit VLEN për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Në këtë atmosferë elektrizuese u promovua rikandidatura e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, i cili me punën dhe vendosshmërinë e tij i dha fund keqmenaxhimit dhe e ktheu komunën në shërbim të qytetarëve”, njoftuan nga VLEN.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve Kasami rikujtoi se në vitin 2021 e trashëgoi Komunën e Tetovës me borxh prej 24 milionë eurosh, me rrugë të amortizuara, mbeturina, mungesë të ujit dhe pasiguri urbane.

Sot, sipas VLEN, borxhi është përgjysmuar. Tetova ka ujë të pijshëm, me qindra rrugë të asfaltuara, janë hapur bulevardet e parë, ka ndriçim LED në çdo lagje dhe fshat, pishinë funksionale dhe dy të tjera që janë në ndërtim e sipër, shkolla të reja dhe plane urbanistike moderne.

Liderët e VLEN theksuan se për herë të parë në historinë e qeverisjes komunat shqiptare janë mbështetur financiarisht nga Qeveria me miliona euro për përmirësimin e infrastrukturës lokale. Kjo është dëshmi se shqiptarët janë të të fortë dhe më të bashkuar se deri më tani.

Ndërkohë, kryetari i shtabit zgjedhor qendror, Adnan Azizi, ishte i drejtpërdrejtë.

“Këta tiranë janë të tërbuar sepse ua ndaluam tatimin, Soravinë, Lotarinë dhe tenderat. Ua ndaluam të vjedhurit, prandaj bërtasin. Fitorja në Tetovë jo vetëm që është e pashmangshme, por ka emër dhe mbiemër: Bilall Kasami. Ai që e ndaloi keqmenaxhimin, që e zvogëloi borxhin, që solli ujë, që e pastroi qytetin, që ndërtoi rrugë, pishina, shkolla, paqe dhe bulevarde. Ai që i dha fund errësirës dhe e ktheu dritën në çdo lagje dhe në çdo fshat. Tetova nuk ka kthim pas! Tetova vazhdon para me Bilall Kasamin dhe VLEN-in”, thanë nga Koalicioni VLEN.

Tenderë për të afërmit

Kumtesa e VLEN-it është “qumësht e mjaltë”, por raportimet dhe analizat e mediave, si dhe informacioni publik për prokurimet publike tregojnë një pasqyrë më ndryshe për menaxhimin e Kasamit me Tetovën, e në veçanti me buxhetin e tij.

Mediat në gjuhën shqipe raportuan se njeriu i parë i partisë BESA, Kasami, i ka “falënderuar” disa donatorë të partisë duke ju ndarë para komunale përmes prokurimeve publike, ndërsa disa prej tyre kanë qenë edhe në listat e të angazhuarve nga komuna, pra kanë qenë të punësuar si bashkëpunëtorë me honorar.

Halë më e madhe në sy është kompania për marketing dhe shërbime “I-Point Marketing” nga Tetova, e cila sipas të dhënave nga Regjistri Qendror është në pronësi të Mensur Alitit dhe Amir Alitit nga Tetova.

Bashkëpronari Mensur Aliti për opinionin njihet edhe si njeri i afërt i sekretarit të Lëvizjes BESA, Adnan Azizi, i cili pak kohë më parë u zgjodh për kryetar të shtabit zgjedhor qendror të VLEN-it.

Gjatë kohës së Lëvizja BESA ishte në pushtet Mensur Aliti ishte i angazhuar kabinetin e zëvendës ministrit të kulturës, Sedat Sulejmani, shkruan portali “Indeks”. Në muajin maj të këtij viti “I-Point Marketing” nga Komuna e Tetovës ka fituar tender në vlerë prej 999.999 denarë, ose 16.260 euro për “Dhënien me qira të pajisjeve për organizimin e eventeve dhe për shtypjen e materialeve”. Në vitin 2024 nga Komuna e Tetovës ka marrë 19.187 euro për dhënien e “shërbimeve për shtypje dhe fotokopjim”, në vitin 2023 ka fituar dy tenderë, një për “përgatitjen e materialeve promovuese dhe për brendimin e qytetit” për një shumë prej 38.444 euro dhe tjetrin për “prokurimin e materialeve të botuara” për një shumë prej 40.650 euro.

Në vitin 2022 kjo kompani ka pasur të ardhura vjetore prej 3,6 denarë, në vitin 2023 ka realizuar 7,3 milionë denarë, ndërsa në vitin 2024 të ardhurat janë rritur në 8 milionë denarë. Por, fitimi i regjistruar në vitin 2024 ka qenë vetëm 1.000 euro.

Menaxheri i kompanisë që i ka fituar këto tenderë nga komuna me të cilën udhëheq Kasami ka qenë donator i Lëvizjes BESA. Sipas raportit të partisë politike, në vitin 2023 Aliti ka dhënë për këtë parti 3.000 euro.

Për abuzimet e pretenduara me funksionin e kryetarit të komunës nga ana e Kasamit dy vite më parë ka shkruar edhe portali informativ “Indeks”, i cili zbuloi se kryetari i Komunës së Tetovës në vitin 2024 i ka ndarë Alitit dy tenderë për prokrime publike në vlerë prej 4 milionë denarësh, i cili ka qenë i angazhuar në sektorin e prokurimeve publike.

Megjithatë, sipas portalit “Financa të hapura” mund të vihet re vetëm se Komuna e Tetovës vetëm dy herë i ka paguar Mensur Alitit honorar në vlerë prej 22.000 denarësh kah mesi i vitit 2022.

Leave a Reply