Fushata zgjedhore fillon zyrtarisht sot edhe pse kandidatët prej muajsh promovojnë idetë e tyre

– Advertisements –

Zyrtarisht filloi fushata zgjedhore e cila përfshin 19 ditë promovim dhe një ditë heshtje zgjedhore. 1 832 415 votues janë gjithsej të regjistruar në listën zgjedhore të mbyllur tashmë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. 1 milion e 717 mijë janë brenda vendit, ndërsa 112 mijë të tjerët janë të regjistruar në listën e posaçme të votuesve që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, mbi 2 mijë votues që vuajnë dënime me burgim ose paraburgim dhe 450 votues që do ta ushtrojnë të drejtën e votës në azile pleqsh.

Ngatërresat dhe pengesat në miratimin e ndryshimeve të Kodit zgjedhor i cili ngeci në procedurë parlamentare, sollën për herë të parë numër të lartë të kandidatëve nga listat e pavarura. Për këtë kategori kandidatësh që më herët ishin kërkuar 1000 nënshkrime, në këtë process zgjedhor, KSHZ-ja, në mungesë të zgjidhjes ligjore, miratoi Rregulloren me të cilën u kërkuan vetëm dy nënshkrime. Si rezultat, kandidaturat e pavarura do të zënë hapësirën më të madhe në fletëvotimet e shumë komunave.

Votimi do të mbahet në 3,480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunalë, ose gjithsej 10,490 kandidatë. Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, pra kandidatura të pavarura. Qyteti i Shkupit ka më shumë kandidatë për kryetar, gjithsej 16.

Pjesa dërrmuese e kandidatëve për kryetarë janë burra, kurse problemi është më i thellë te partitë shqiptare, të cilat nuk kanë asnjë kandidate grua për kryetare komune.

Disa nga kandidatët kanë paralajmëruar aktivitetet promovuese të programeve të tyre megjithatë fushata jozyrtarisht ka nisur muaj më parë dhe ka qenë mjaftë aktive në gjatë gjithë verës.

Siç parashikohet në Kodin Zgjedhor, fushatë zgjedhore konsiderohen tubimet politike dhe ngjarje të tjera publike të organizuara nga një pjesëmarrës në fushatën zgjedhore, shfaqje publike e banerëve, prezantime video në vende publike, prezantim zgjedhor në media dhe internet, shpërndarje e materialeve të shtypura dhe prezantim publik i kandidatëve të konfirmuar nga autoritetet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre.

Fushata te partitë maqedonase është fokusuar kryesisht në Qytetin e Shkupit, kurse mes partive shqiptare, në Komunën e Çairit.

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e vendit në të cilat zgjidhen kryetarë bashkish dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në zgjedhjet lokale nuk ka votim jashtë vendit, por shtetasit që jetojnë dhe punojnë jashtë dhe që kanë të drejtë vote, mund ta ushtrojnë atë në komunën ku kanë adresë banimi brenda vendit. / Alsat.mk

Leave a Reply