Gazetari dhe pronari i portalit informativ Top24.mk, Ylber Jahiu, ka bërë publike një masë administrative ndaj tij, të cilën e cilëson si presion të drejtpërdrejtë për shkak të angazhimit të tij mediatik, përcjell Flaka
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Jahiu njoftoi se me urdhër të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i është ndërruar vendi i punës dhe është dërguar në INFOQENDËR.
“Të dashur miq! Sot kryetari i komunës me urdhëresë më ka ndërruar vendin e punës dhe si vend të përshtatshëm për mua është INFOQENDRA,” shkroi Jahiu.
Ai shton se nuk është hera e parë që përballet me presion, duke kujtuar edhe një video të mëhershme që qarkulloi në rrjetet sociale, ku pretendonte se ishte objekt sulmi.
“Si pronar i portalit Top24.mk nuk është hera e parë që kam qenë shënjestër, madje shumë nga ju keni parë edhe një video që pati qarkulluar më herët,” shton ai.
Në fund të reagimit, gazetari Jahiu dërgon një mesazh të qartë:
“Falemnderit Bilall Kasami për këtë qasje ndaj meje. Trysnia nuk do ta ndalë fjalën e lirë të medias.”
Nga ana e Komunës së Tetovës nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e ngritura nga gazetari Jahiu. Flaka