Në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Tetovës për një vit nuk kryhen operacione për shkak të mungesës së materialeve bazë për operacion, raporton Portalb.mk.
Kryeshefi i Repartit të Ortopedisë, Arton Neziri theksoi se edhe pse stafi është i gatshëm të kryejë operacione, ata nuk mund ta bëjnë këtë për shkak të mungesës së materialeve.
“Po kalojmë një periudhë ku në vazhdimësi përcjellim informatën se nuk kemi materiale dhe nuk kryejmë për momentin intervenime kirurgjikale. Ndoshta shpresojmë si çdoherë me tendencë që të na ofrohen ato materiale dhe të realizojmë kjo pjesë…Gati një vit ne nuk posedojmë materiale për të cilat mund t’i kryejmë ato intervenime dhe kjo na ka vënë në një pozicion jo të rehatshëm karshi pacientëve të cilët duhet të adresohen në klinikat universitare të Shkupit”, tha Neziri.
I pyetur për këtë problem, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se lista e problemeve në Spitalin Klinik të Tetovës është e gjatë.
“Ky problem është zgjidhur në aspektin administrativ. Pra shumë shpejt pritet që atje të jepen shërbimet. Ju e dini se unë vetëm një muaj jam ministër dhe besoni se lista e problemeve ishte aq e madhe sa ne kemi rritur numrin e kolegeve që punojnë në ministri si në aspektin administrativ po ashtu edhe profesional që mund paralelisht të punojmë dhe të zgjedhim problemin. Por na duhet kohë, do të ketë qasje ndryshe dhe në Tetovë dhe shërbimet do të jenë në kohë reale aq sa mundet dhe aq sa ka mundësi klinika në aspektin infrastrukturor”, tha Aliu.
Nga Spitali i Tetovës kanë paralajmëruar se brenda muajit të ardhshëm do të hapet tenderi për furnizime me materialet e nevojshme.
Në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Tetovës punojnë gjashtë ortopedë, dy prej të cilëve pritet të dalin në pension.
Kujtojmë që problem tjetër në Spitalin e Tetovës mbetet statusi i rreth 140 infermiereve, të cilat me vite punojnë me kontrata në vepër, pa vendime pune. Për të cilat ministri aktual i Shëndetësisë ka premtuar zgjidhje për këtë muaj.