Edhe pas shumë shkeljeve të afateve dhe premtimeve, shkolla fillore në fshatin Sellcë të Tetovës nuk do të jetë gati për këtë vit të ri shkollor 2025/26. Objekti i ri i shkollës pritet të jetë gati dhe të lëshohet në përdorim vitin e ardhshëm shkollor 2026/27, shkruan Portalb.mk.
Sipas kreut të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, punimet e fazës së parë pritet të përfundojnë deri në dhjetor 2025 me çka objekti do të bëhet funksional në pjesën e brendshme.
“Pastaj në fazën e dytë parashihet edhe rregullimi i pjesës së jashtme, duke nisur edhe nga fasada e jashtme dhe punimet e rregullimit të hapsirës së oborrit të shkollës e mur rrethues-mbrojtës dhe gjithçka që ka të bëjë me izolimin e jashtëm të shkollës nga pjesa tjetër e fshatit”, tha Kasami.
Sipas planifikimeve shkolla nuk pritet të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor 2025/26, por për vitin shkollor 2026/2027.
“Ne do të punojmë fuqishëm që gjithë punimet që kjo shkollëë të mund t’i pranojë nxënësit e parë të përmbyllen deri në fund të vitit të ardhshëm shkollor… Prioritet për ne do të jetë që ky objekt të jetë në disponim të nxënësve jo këtë vit, por vitin e ardhshëm”, tha Kasami.
Drejtori i Shkollës Fillore “Rilindja” Muhamer Asani pret që punimet të përfundojnë në kohë.
“Në bazë të të dhënave që pamë këtu, besoj se faza e parë e objektit do të përfundojë në afatin e paraparë. Siç tha edhe kryetari, faza e dytë është krijimi i kushteve, faktikisht i mureve mbrojtëse dhe terreneve sportive”, tha Asanni.
Ai tha se për 200 ka rënë numri i nxënësve dhe momentalisht kjo shkollë ka 387 nxënës.
Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023 ndërsa gur-themeli u hodh më 12 shkurt 2024 pas shumë zvarritjeve dhe shkeljeve të afateve. Ky objekt do të kushtojë rreth 100 milionë denarë.
Banorët e Sellcës, objektin e ri të shkollës e presin me vite të tëra pasi nxënësit mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion.