Xhelili: Qeverinë Mickoski e pret presion i madh ndërkombëtar

Pa pjesëmarrjen e ASH –së në qeveri, ajo rrezikon të perceptohet si e njëanshme etnikisht, pasi bazohet kryesisht në shumicën maqedonase dhe në përkrahjen e një pjese të vogël të përfaqësuesve shqiptarë, thotë në prononcim për PressOnlline.al, ish-deputeti Zudi Xhelili.

 

“Largimi i Arben Taravarit nga koalicioni qeverisës është një zhvillim me peshë politike dhe simbolike, dhe ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në legjitimitetin e Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Pa pjesëmarrjen e ASH (nën udhëheqjen e Taravarit), qeveria rrezikon të perceptohet si e njëanshme etnikisht, pasi bazohet kryesisht në shumicën maqedonase dhe në përkrahjen e një pjese të vogël të përfaqësuesve shqiptarë. Taravari është më i qëndrueshëm ideologjikisht dhe ka ruajtur një pozicion më kritik ndaj VMRO DPMNE-së dhe qasjes së saj ndaj çështjes shqiptare. Ai shihet si një figurë që nuk e pranon kompromisin politik për interesa personale”, thotë Xhelili për PressOnline.al

 

Në anën tjetër, thotë ai, Izet Mexhiti ka pranuar një formë bashkëpunimi, që i shkon për shtat Mickoskit.

 

“Ai është më i ‘pragmatik’ dhe më i gatshëm për marrëveshje, gjë që e bën më të lehtë për t’u toleruar apo ‘përdorur’ si legjitimues i pranisë shqiptare në qeveri. Mickoski, në mënyrë strategjike, e sulmon Taravarin për largimin që të shërbejë si shembull për aktorët tjerë politikë shqiptarë që mund të mendojnë për shkëputje ose për qëndrim të pavarur”, nënvizoi ai.

 

Sipas tij, Qeverin Mickoski e pret presion i madh ndërkombëtar: Partnerët euroatlantikë do të kërkojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, me përfaqësim të drejtë të shqiptarëve dhe respektim të Marrëveshjes së Ohrit.

Leave a Reply