Brenda një muaji në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Aktivistët kritikojnë kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasamin se nuk e solli ndryshimin që e premtoi. Opozita e konsideron praktikë që duhet të ndalet. Ndërsa Komuna e Tetovës heshtë, ndërsa premtimet parazgjedhore mbeten të parealizuara në terren, shkruan Portalb.mk.
Si e ndihmoi Komuna e Tetovës profesorin Faton Murseli që të ndërtojë pa leje në Kodrën e Diellit në tokën e dikujt tjetër?
Komuna e Tetovës ia mundësoi legalizimin e vikend shtëpizës në Kodrën e Diellit, Faton Murselit (ish zëdhënës i Komunës së Tetovës), bashkëshorjtja e të cilit, Revide Ramani Murseli është kryetare e Komisionit të Urbanizmit në komunë.
Vikend shtëpiza edhe pse ishte e ndërtuar në vitin 2024, një rrjet gjeodezistësh, zyrtarësh komunalë dhe inspektorësh bënë gjithçka që mundën për të bërë të duket se vila ishte ndërtim pa leje që u legalizua para vitit 2011. IRL nxori në pah se abuzimet përfshinë raport të pasaktë gjeodezik dhe inspektim të falsifikuar.
LEXO: Si e ndihmoi Komuna e Tetovës profesorin Faton Murseli që të ndërtojë pa leje në Kodrën e Diellit në tokën e dikujt tjetër
Agjencia e Kadastrës konfirmoi të gjeturat e IRL-së se kishte parregullsi në procedurën e legalizimit të objektit.
Pas kësaj, Inspektorati Shtetëror Administrativ ka nisur inspektim të jashtëzakonshëm në Sektorin e Urbanistikës dhe në Inspektoratin Komunal në Tetovë, prokurori publik është duke mbledhur informacione, ndërsa MPB ka njoftuar për paraqitjen e kallëzimit pas dokumentimit të gjitha detajeve lidhur me legalizimin e paligjshëm të shtëpisë verore në Kodër të Diellit të profesorit Faton Murseli.