Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka reaguar pas sulmit ndaj dy nxënësve shqiptarë në Tetovë, të cilët u dhunuan brutalisht nga një grup huliganësh të organizuar, të njohur si pjesëtarë të grupit “Vojvoda”.
“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin barbar ndaj dy nxënësve shqiptarë në Tetovë. Ky akt i shëmtuar është dhunë me motive etnike dhe një sinjal alarmi për sigurinë e qytetarëve shqiptarë në vend. Dy të rinj sot ndodhen në spital si pasojë e këtij akti kriminal,” ka deklaruar Ramadani.
Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, duke theksuar se “heshtja ose relativizimi i këtij rasti është bashkëfajësi”.
“Shteti nuk mund të lejojë që grupe paramilitare dhe ekstremiste të shëtisin lirshëm e të rrahin fëmijët tanë,” shtoi ai.
Ramadani theksoi se Aleanca Kombëtare për Integrim do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të kërkuar drejtësi. “Siguria e qytetarëve tanë nuk është opsion, është detyrim i shtetit,” përfundoi ai.