Tetova përsëri pa ujë

Për shkak të një defekti në lagjen A.J. Zhurçin, furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në të gjithë qytetin në Tetovë, raporton Portalb.mk.

Ekipet e NP “Sharri” janë në terren dhe po punojnë për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me ujë.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe ju sigurojmë se uji do të rikthehet menjëherë pas sanimit të defektit”, thonë nga NPK “Sharri”.

Defekt në këtë lagje pati edhe muajin e kaluar në gypin kryesor F400, ku qytetarët mbetën pa ujë dy ditë.

LEXO: Tetova mbeti dy ditë pa ujë në pikën e të nxehtit, u sanua defekti që riktheu makthin e verës për qytetarët
Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët.

LEXO: U rikonstruktua stacioni i filtrimit në Lisec të Tetovës, Zeqiri: Nuk do të ketë restrikcione
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Kujtojmë që në këtë drejtim, së fundmi Komuna e Tetovës ka filluar dy projekte të financuara nga Qeveria e RMV-së. Edhe atë: Rikonstruimin dhe zgjerimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit – Tetovë në vlerë prej 15.104.118,00 denarëve, si dhe projektin Rikonstruksoni i tubacionit të sistemit të furnizimit me ujë të qytetit nga burimi në Kodrën e Diellit deri te rezervuarit në Tetovë në vlerë prej 65.254.495,60 denarëve. Këto projekte realizohen në vit zgjedhor.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje. Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Megjithatë këto premtime nuk janë realizuar siç ai ka premtuar. Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Leave a Reply