Arbana Pasholli: Shumica po ngulfat zërin e opozitës shqiptare

Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli ka reaguar për situatën në Kuvend, njofton Top24.mk.
Tha se me zhvillimet e sotme, me heqjen e pikës së interpelancës ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, shumica me çdo kusht synon të ngulfasë zërin e opozitës shqiptare.
“Shumica parlamentare edhe një herë dëshmoi se me çdo kusht synon të ngulfasë zërin e opozitës shqiptare dhe me këtë, edhe vetë vlerat demokratike!
Sot në Kuvend, jo vetëm që u minimizua dhe dëmtua funksioni kushtetues i Kryetarit të Kuvendit, por na u mohua edhe e drejta si propozues për të shqyrtuar në seancë interpelancën ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Me kërkesë të deputetit Boban Karapejovski dhe me mbështetjen edhe të deputetëve të VLEN, u fshi nga rendi i ditës një çështje thelbësore që prek interesat e shqiptarëve dhe gjuhën shqipe!
Fatkeqësisht, po bëhemi dëshmitarë të një regjimi që sistematikisht i ik transparencës, e shmang llogaridhënien dhe sillet në mënyrë represive ndaj çdo zëri opozitar”, shkruan Pasholli në Facebook.

Leave a Reply