Aktivistja e njohur e shoqërisë civile, Nafie Selmani, ka reaguar ashpër pas publikimit të sondazheve të fundit që, sipas saj, kanë tronditur themelet e koalicionit opozitar shqiptar, VLEN. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Selmani thekson se rezultatet e anketave janë zhgënjyese dhe madje alarmante për një subjekt që pretendon të përfaqësojë alternativën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Koalicioni i përbërë nga tre parti politike dhe koordinatori-deputeti Bekim Qoku, i kontrabanduar nga Lëvizja Vetëvendosje, po përballet me krizë serioze të legjitimitetit. Ky individ nuk ka as strukturë vendore dhe as ndonjë mbështetje reale në terren”, shkruan Selmani.
Ajo kritikon reagimet nervoze të anëtarëve të VLEN-it ndaj sondazheve, duke i cilësuar si “reflekse të vjetra propagandistike”. “Përdorimi i retorikës së konsumuar – se sondazhet janë të porositura apo të pasakta – nuk mbulon dot faktin se qytetarët e kanë kuptuar se premtimi për NDRYSHIM ka mbetur vetëm një slogan pa përmbajtje”, shprehet ajo.
Sipas Selmanit, sondazhet kanë ekspozuar një të vërtetë thelbësore: mungesën e figurave përfaqësuese dhe rënien e peshës politike të koalicionit që nga largimi i Arben Taravarit. “Me largimin e Taravarit, që ishte shtylla morale dhe zëri i besueshëm i koalicionit, VLEN-i është përgjysmuar si në mbështetje publike ashtu edhe në simbolikë”, thekson aktivistja.
Ajo vëren se koalicioni po përballet me krizë të thellë besimi dhe nuk ka treguar aftësi për të lexuar realitetin apo për të bërë korrigjime të nevojshme. “Në vend të reflektimit strategjik, pamë rikthim në viktimizim dhe sulme ndaj kundërshtarëve imagjinarë. Kjo është shenjë e një subjekti të pafuqishëm përballë krizës së vet”, shton ajo.
Selmani nënvizon edhe mungesën e kohezionit brenda VLEN-it. “Deklaratat e kundërta të liderëve të këtij koalicioni rreth kandidatëve të mundshëm tregojnë përplasje të brendshme serioze. Ky konfuzion do të ketë pasoja të pashmangshme në ditën e zgjedhjeve”, paralajmëron ajo.
Në përfundim, Selmani lëshon një mesazh të qartë: “Kur një parti politike e sheh anketën si kërcënim dhe jo si mundësi për reflektim e përmirësim, atëherë kriza nuk është e jashtme, është e brendshme.” Flaka