BDI alarmon se po shkelen rëndë parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë, ndërkohë që ASH kërkon nga VMRO-VLEN që, Ligji për përfaqësim të miratohet në Parlament e më pas të dërgohet në Komisionin e Venecias. Hiç më vonë se dje, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë janë punësuar 21 persona, që të gjithë janë maqedonas dhe asnjë shqiptar
Shkup, 11 qershor – Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë janë punësuar 21 persona, që të gjithë janë maqedonas dhe asnjë shqiptar. Është Bashkimi Demokratik për Integrim ajo që ka reaguar për punësimet monoetnike, ndërsa është shprehur se kjo situatë po merr përmasa alarmante duke shkelur rëndë parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë, shkruan gazeta KOHA.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë dhe dënon ashpër përjashtimin sistematik dhe të qëllimshëm të shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky fenomen diskriminues po merr përmasa alarmante dhe përbën shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë. Rasti i fundit që e ilustron qartë këtë realitet shqetësues është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku nga gjithsej 21 të punësuar, asnjë nuk është shqiptar. Ky është një institucion publik që vepron me mjete buxhetore të taksapaguesve, përfshirë qytetarët shqiptarë, dhe përjashtimi i plotë i një komuniteti të tërë përbën praktikë të papranueshme dhe të dënueshme”, thuhet në reagimin e BDI-së, ndërsa shtojnë se rasti i fundit me EUV-në nuk është rast i izoluar.
“Kjo është pjesë e një politike përjashtuese, që shkon në kundërshtim të drejtpërdrejtë me frymën dhe shkronjën e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe me vlerat themelore të integrimit evropian. BDI kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe nisjen e një hetimi të pavarur për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike, nga pozitat drejtuese deri te vendet ekzekutive. Diskriminimi nuk mund të normalizohet. Heshtja nuk është opsion. Barazia është e panegociueshme”.
Në ndërkohë, ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, ndërsa e njëjta ka shprehur shqetësim serioz për procesin e zvarritur dhe, siç e cilëson, të qëllimshëm në hartimin dhe miratimin e Ligjit për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore dhe publike. Sipas kësaj partie, deklarata e fundit e kryeministrit Hristijan Mickoski për procedimin e Ligjit së pari në Qeveri dhe më pas në Komisionin e Venecias, para se të votohet në Parlament, nuk është gjë tjetër veçse një taktikë bllokuese. Aleanca për Shqiptarët kritikon VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e saj shqiptarë nga koalicioni VLEN, duke i akuzuar se “ose nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje jetike për barazinë qytetare, ose janë verbuar nga etja për pushtet”.
“Për të ilustruar pasojat e një qasjeje të tillë, përkujtojmë shembullin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili u dërgua për vlerësim në Komisionin e Venecias më 22 janar 2019 dhe mori përgjigje vetëm më 4 maj 2025-pas gjashtë vitesh. Ky precedent tregon qartë se dërgimi paraprak i ligjeve në Komisionin e Venecias, pa miratim në Parlament, është një recetë për bllokim afatgjatë dhe shmangie të përgjegjësisë politike”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Situata bëhet edhe më shqetësuese pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar sistemin e balancerit – një vendim që ka lënë një boshllëk ligjor në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën publike, thonë në ASH. “Ky boshllëk po keqpërdoret rëndë” thekson Aleanca, duke sjellë shembuj të konkurseve ku rezultatet janë krejtësisht të njëanshme – “20 me 0 në dëm të shqiptarëve”. Për të shmangur degradimin e mëtejshëm të përfaqësimit dhe për të garantuar barazi qytetare, Aleanca për Shqiptarët kërkon që ligji të kalojë fillimisht në Kuvend dhe vetëm më pas t’i nënshtrohet mendimit të Komisionit të Venecias. “Vetëm kështu mund të garantohet transparenca, të evitohet zvarritja dhe të ndalet keqpërdorimi politik i punësimeve në administratë,” përfundon reagimi.(koha.mk)