Ambasadori shqiptar Denion Meidani nga Llabunishta: Historia dhe përkushtimi flasin shqip

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, zhvilloi një vizitë në fshatin Llabunishtë, një nga fshatrat më të mëdha dhe më të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut. Në një postim publik, ambasadori Meidani theksoi rëndësinë e këtij komuniteti si një motor i fuqishëm social dhe ekonomik për rajonin e Strugës, shkruan Flaka

 

“Në Llabunishtë, një ndër fshatrat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut, historia dhe përkushtimi flasin shqip,” – tha ambasadori Meidani.

 

Gjatë qëndrimit, ai u prit nga banorët mikpritës dhe vizitoi shkollën fillore “Murat Llabunishti”, ku zhvilloi një bisedë të ngrohtë me nxënësit dhe drejtoreshën e institucionit, znj. Aishe Sallkoska. Biseda u përqendrua në rëndësinë e arsimit dhe gjuhës si elementë thelbësorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor.

 

“Biseduam me nxënësit dhe drejtoreshën znj. Aishe Sallkoska për rëndësinë e arsimit dhe gjuhës si identitet,” – theksoi ambasadori.

 

Ai gjithashtu vlerësoi komunitetin lokal si punëtor dhe të gjallë, me ndikim të madh në zhvillimin e përgjithshëm të zonës.

 

Vizita e ambasadorit Meidani vjen si një sinjal mbështetjeje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin, gjuhën dhe për të kontribuar në zhvillimin shoqëror të vendit.

Leave a Reply