Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër pas skenës publike ku, sipas kësaj partie, Kryeministri i vendit ka përulur publikisht kryetarin e Komunës së Tetovës gjatë një aktiviteti zyrtar në qytet.
“Shprehim shqetësim të thellë dhe dënojmë fuqishëm përuljen publike të radhës që Kryeministri i vendit i bëri kryetarit të Komunës së Tetovës, në mesin e qytetit, edhe këtë herë përballë kamerave dhe opinionit të gjerë, duke mos e lënë të përgjigjet në pyetjen adresuar vetë atij,” thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.
Partia e konsideron këtë jo thjesht si një sjellje të papërshtatshme, por si pjesë të një strategjie të qëllimshme politike për të delegjitimuar autoritetin e përfaqësuesve shqiptarë në pushtetin lokal.
“Kjo nuk ishte vetëm nënvlerësim personal, por një demonstrim i hapur i konceptit të dominimit monoetnik që është instaluar me shpejtësi në institucionet shtetërore,” vijon deklarata. “Njësoj si në rastin e Zhelinës, edhe në Tetovë po shkelet në publik autoriteti i një përfaqësuesi të zgjedhur.”
Sipas BDI-së, sjellja e Kryeministrit “nuk është as spontane, as teknike, është thellësisht politike dhe e qëllimshme.” Ata pretendojnë se bëhet fjalë për “realizim të premtimeve të dhëna nga ky pushtet për ‘t’u treguar vendin shqiptarëve’.”
Partia shpreh edhe shqetësim për investimin e prezantuar gjatë vizitës, duke theksuar se nuk është pjesë e ndonjë politike publike apo programi qeveritar, por “një ‘dhuratë’ e një kompanie private serbe, që përputhet plotësisht me rritjen e ndikimit të ‘botës serbe’ në jetën institucionale të vendit.”
“Nga emërimi i Stoilkoviqit, vizitat e Dodikut dhe klerikëve me orientim antiperëndimor, deri te këto investime ‘të buta’ – të gjitha përbëjnë një mozaik ndikimi të drejtpërdrejtë që shtrihet edhe në vendbanimet tona,” thuhet në reagim.
Në fund, BDI u bën thirrje partive dhe shoqërisë civile që të mos heshtin:
“Përulja e një kryetari komune nuk është përulje e një individi. Është fyerje ndaj zgjedhësve, ndaj autonomisë lokale dhe ndaj barazisë qytetare. Është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe ndaj rrugës euroatlantike të vendit.”
“BDI u bën thirrje të gjitha forcave politike shqiptare dhe aktorëve shoqërorë që të mos normalizojnë këtë logjikë poshtëruese, të reagojnë me dinjitet dhe të qëndrojnë në krah të institucioneve që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve tanë. Heshtja nuk është opsion,” përfundon deklarata.