Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas akuzave të VLEN kundër Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, të cilin e akuzuan se ka preferuar marrëdhëniet me Beogradin në vend të përfaqësimit të interesave shqiptare dhe të Kosovës. VLEN theksoi se Osmani ka shkuar 11 herë në Beograd dhe asnjëherë në Prishtinë gjatë mandatit të tij, duke e quajtur këtë “diplomaci me selfie” dhe “shërbim për karrierën personale”.
“Bujar Osmani duket më i lumtur në mesin e diplomatëve serbë sesa me bashkëqytetarët e tij nga Çairi,” thuhet në deklaratën e VLEN. “Ai nuk ka ndihmuar askënd, nuk ka qenë i pranishëm për asnjë projekt në komunën e tij, nuk ka hapur shkollë, nuk ka përkrahur asnjë zhvillim konkret për qytetarët e Çairit.”
Sipas tyre, Çairi nuk duhet të jetë “sallë pritjeje për karrierën e askujt,” por një vend me investime reale dhe përfaqësim të ndershëm.
BDI: Këto sulme janë kompliment për Bujarin – Faktet e rrëzojnë propagandën
Përballë këtyre akuzave, Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë në mbrojtje të Bujar Osmanit, duke theksuar se puna e tij në diplomaci është një prej kapitujve më të suksesshëm të shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria që u shpall nga 461 eurodeputetë si një instrument i botës serbe, sot po përpiqet të hedhë hije mbi punën e Ministrit më të suksesshëm të Jashtëm që ka pasur Maqedonia e Veriut,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia rendit një sërë arritjesh nën drejtimin e Osmanit:
Anëtarësimi në NATO u përmbyll gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm;
Fillimi i negociatave për BE, gjithashtu u arrit nën drejtimin e tij;
Kryesimi i OSBE-së në një vit kritik për organizatën, me ruajtjen e selisë në Shkup;
Hapja e Dialogut Strategjik me SHBA-të, një arritje që BDI e konsideron themel për partneritet të qëndrueshëm;
Harmonizimi 100% me politikën e jashtme të BE-së, për herë të parë në historinë e vendit;
Themelimi i iniciativës “QUAD” me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi – një grup pro-perëndimor dhe euroatlantik në rajon;
Dëbimi i 20 diplomatëve rusë dhe mbështetje aktive për Ukrainën, pa ekuivok;
Sponsorizimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në OKB.
“Raporti më i fundit i Parlamentit Evropian e veçon qartë punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë mandatit të Bujar Osmanit si i vetmi segment pozitiv i raportit për Maqedoninë e Veriut,” nënvizon BDI.
“VLEN sulmon me shpifje, sepse nuk ka asgjë për të treguar”
BDI akuzon VLEN për një fushatë të motivuar politikisht dhe të pakoordinuar me realitetin ndërkombëtar.
“Sulmet që vijnë nga një qeveri që ka përqafuar elementët e ‘botës serbe’ nuk e zbehin punën e Bujar Osmanit – përkundrazi, janë kompliment për të. Janë dëshmi se është në rrugën e drejtë,” thuhet në përfundim të deklaratës.