Pas tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut ku humbën jetën 59 persona, e numri i të plagosurve arriti të paktën 155, kryetari i kësaj bashkie ka dhënë dorëheqjen mesditën e sotme.
Lajmi konfirmohet nga vetë ai, Lupçjo Papazov, përmes një postimi të gjatë në llogarinë e tij “Facebook”.
Papazov shkruan se kjo tragjedi ka sjellë momente shumë të vështira për Maqedoninë e Veriut, teksa në fjalë të tjera u shpreh se është e udhës për të dhënë dorëheqjen, pasi humbja është e madhe.
Po kështu, thirrje të veçantë i bëri organit të akuzës që të zhvillojë hetime edhe ndaj tij në rast se vihen re përgjegjësi të mundshme të tij si kryebashkiak për këtë tragjedi.
Ai shkruan me dhimbje se i lutet Zotit për shpirtrat e të gjithë viktimave, familjeve, të tyre, pasi Papazov i njihte dhe i kishte si fëmijët e tij, siç u shpreh ai në postim.